Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik “Anamorava 2026”, të organizuar në Gjilan, ku institucionet, bizneset, universitetet, investitorët dhe diaspora diskutuan mundësitë për zhvillimin ekonomik të rajonit.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Mehmeti theksoi potencialin ekonomik të Anamoravës dhe rëndësinë e shndërrimit të këtij potenciali në investime konkrete, vende pune cilësore dhe biznese më konkurruese.
Vëmendje e veçantë gjatë forumit iu kushtua Parkut Industrial dhe Teknologjik në Gjilan, i shpallur me interes publik me Vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipërfaqja e propozuar prej 146.5 hektarësh krijon mundësi për zhvillimin e veprimtarive prodhuese, ndërtimore, profesionale dhe teknologjike, si dhe për zgjerimin e ndërmarrjeve ekzistuese dhe tërheqjen e investimeve të reja.
Mehmeti theksoi se realizimi i këtij potenciali kërkon planifikim të mirë, infrastrukturë të përshtatshme dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe universiteteve. Sipas tij, forume të tilla krijojnë hapësirë për të dëgjuar nevojat e bizneseve, për të ndërtuar partneritete dhe për ta shndërruar dialogun në hapa konkretë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me komunat, Odën Ekonomike, universitetet dhe komunitetin e biznesit, me qëllim të mbështetjes së një ekonomie më të qëndrueshme dhe konkurruese.
Zëvendësministri Mehmeti ka falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit për kontributin dhe diskutimet e zhvilluara gjatë Forumit Ekonomik “Anamorava 2026”.










