Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se me datën 09.10.2026, rreth orës 14:30 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Livoç i Poshtëm, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë, nën dyshimin se i pandehuri V.R. (38 vjeç) nga Gjilani, për motive akoma të pa njohura, me armë zjarri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën N.B (27 vjeç), vëllain e bashkëshortes, tani të ndjerin E.B (31 vjeç) si dhe ka plagosur rëndë djalin e xhaxhait të bashkëshortes së tij, tani të dëmtuarin M.B (48 vjeç), i cili për shkak plagëve të marra është duke u trajtuar në QKUK.
Në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë të gjitha ekipet relevante Policore, si dhe Prokurori i Shtetit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të zbardhjes së rastit.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar arma-pistoletë “Bereta”, me leje të skaduar, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe prova materiale. Gjithashtu janë kryer kontrolle në tri lokacione të pronave të pandehurit dhe janë sekuestruar prova të tjera materiale.
I pandehuri nuk ka të kaluar kriminale dhe nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar për Dhunë në Familje.
Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmerre të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.










