Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, është takuar në Tiranë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Gjeneralmajor Ulutaş ka rikonfirmuar përkushtimin e KFOR-it për ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Meqë transferimi i autoritetit është planifikuar të bëhet më 14 tetor, Ulutaş ka shprehur vlerësimin për kontributin e vazhdueshëm të Shqipërisë në misionin e KFOR-it, si dhe e ka falënderuar gjeneralin Kingji për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe garantimin e lirisë së lëvizjes.
Misioni vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë.










