Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan është furnizuar me vaksina kundër gripit sezonal, ndërsa procesi i vaksinimit do të nisë të hënën, më 26 tetor 2026.
Sipas njoftimit, vaksinimi do të kryhet në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare, në qytet dhe në fshatra, gjatë ditëve të punës, nga ora 07:00 deri në 14:00.
Vaksinimi rekomandohet veçanërisht për grupet më të rrezikuara, përfshirë punëtorët shëndetësorë, personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët.
Qytetarët këshillohen të paraqiten në qendrën e mjekësisë familjare që u takon sipas zonimit dhe ku zakonisht kryejnë kontrollet mjekësore.
Për t’u vaksinuar, qytetarët duhet të kenë me vete letërnjoftimin.










