Me pikëllim të thellë është bërë e ditur ndarja nga jeta e Prof. Mr. Sc. Xhemajl Xhemajlit, intelektual, profesor dhe veprimtar, i cili la gjurmë përmes kontributit të tij në arsim, politikë dhe veprimtarinë kombëtare.
Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familjarët, të cilët përmes një njoftimi mortor kanë shprehur dhimbjen për humbjen e bashkëshortit, babait dhe gjyshit të dashur.
Në njoftimin e familjes, Xhemajl Xhemajli përshkruhet si një njeri me vlera të larta njerëzore e profesionale, i përkushtuar ndaj familjes, vendit dhe shoqërisë. Familjarët theksojnë se ai do të kujtohet për mirësinë, dashurinë e pakushtëzuar për të afërmit dhe përkushtimin për t’i mbajtur ata të bashkuar.
“Vlerat dhe kujtimi yt do të jetojnë gjithmonë mes nesh”, thuhet në mesazhin prekës të familjes, e cila i ka dhënë lamtumirën të dashurit të tyre me dhimbje të thellë.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet në fshatin e tij të lindjes, në Pogragjë, me Ikindi. Ndërkaq, pritja e ngushëllimeve do të mbahet në restorantin “Parajsa”, të mërkurën, të enjten dhe të premten.
Familja ka ftuar të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin për të ndarë dhimbjen dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit.










