Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka nxjerrë vendim për themelimin e grupit punues për hartimin e Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm të personelit policor në Policinë e Kosovës.
Sipas vendimit, grupi punues do të udhëhiqet nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Viktor Buzhala, ndërsa zëvendësudhëheqës do të jetë Qëndrim Bytyqi nga MPB-ja.
Në grupin punues janë përfshirë anëtarë, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, institucioneve të tjera dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës, raporton RTKLive.
Grupi do të jetë përgjegjës për hartimin e draftit fillestar të projektligjit, administrimin e procesit të konsultimeve paraprake dhe publike, si dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm sipas Rregullores së Punës së Qeverisë.
Pas përfundimit të draftit fillestar dhe dokumentacionit përcjellës, udhëheqësi i grupit punues do ta dorëzojë projektaktin te drejtori i Departamentit Ligjor, i cili, nëse nuk ka vërejtje, do ta procedojë për miratim.
Me këtë vendim, të gjitha njësitë përkatëse të MPB-së dhe zyrtarët obligohen të bashkëpunojnë dhe të ofrojnë të dhënat e kërkuara nga udhëheqësi i grupit punues.
Vendimi është nënshkruar nga ministri Xhelal Sveçla dhe hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.










