Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka nisur zbatimin e Programit të Përhershëm të Survejimit dhe Monitorimit të Sektorit të Qumështit, në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit, i cili përfshin kontrolle të rregullta zyrtare dhe marrjen e mostrave në të gjithë zinxhirin e prodhimit, përpunimit, importit dhe tregtimit të qumështit dhe produkteve të tij. Programi synon vendosjen e një sistemi të qëndrueshëm të mbikëqyrjes së sektorit, të bazuar në vlerësimin e rrezikut, rezultatet laboratorike dhe historikun e përputhshmërisë së operatorëve me kërkesat ligjore.
Kontrolli shtrihet në të gjithë zinxhirin e qumështit dhe produkteve të qumështit, duke filluar nga ushqimi për kafshët, prodhimi i qumështit në fermë, grumbullimi dhe transporti, deri te përpunimi, paketimi, importi, shpërndarja dhe tregtimi i produkteve të gatshme. Programi përfshin si qumështin dhe produktet e prodhuara në Kosovë, ashtu edhe produktet e importuara nga jashtë vendit, duke siguruar mbikëqyrje të integruar të të gjitha hallkave të zinxhirit ushqimor, nga ferma deri te konsumatori.
Në kuadër të këtij programi, çdo muaj do të realizohen analiza laboratorike fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe të sigurisë ushqimore, sipas llojit të produktit dhe nivelit të rrezikut. Kontrollet do të përfshijnë verifikimin e ushqimit për kafshë për mikotoksina dhe kontaminantë të tjerë, analizimin e qumështit të papërpunuar në ferma dhe pika grumbullimi, si dhe analizimin e produkteve të përpunuara vendore dhe të importuara për përmbajtjen e yndyrave, proteinave, vajit të palmës dhe yndyrave të tjera bimore, përdorimin e qumështit pluhur, praninë e aflatoksinave, mbetjeve të antibiotikëve dhe substancave të tjera të palejuara. Analizat mikrobiologjike do të përfshijnë kontrollin për Salmonella spp., Listeria monocytogenes, Escherichia coli dhe mikroorganizma të tjerë, në varësi të produktit dhe vlerësimit të rrezikut.
Programi është pjesë e iniciatives së iniciuar nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, me qëllim forcimin e mbikëqyrjes së të gjithë zinxhirit të qumështit, identifikimin e hershëm të rreziqeve dhe mospërputhjeve, si dhe sigurimin që prodhimi vendor dhe produktet e importuara të përmbushin kërkesat ligjore për përbërjen, etiketimin, cilësinë dhe sigurinë ushqimore.Bashkëpunimi me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit synon përfshirjen aktive të prodhuesve në përmirësimin e standardeve të sigurisë dhe cilësisë së qumështit, shkëmbimin e informacionit për rreziqet në sektor, promovimin e praktikave të mira të prodhimit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për kërkesat ligjore. Ky bashkëpunim do të mbështesë identifikimin e problemeve përgjatë zinxhirit të prodhimit dhe zbatimin e masave parandaluese, duke ruajtur pavarësinë e AUV-së në planifikimin dhe realizimin e kontrolleve zyrtare, marrjen e mostrave dhe vendimmarrjen inspektuese.
Programi është në funksion të forcimit të qasjes së bazuar në rrezik në sistemin e kontrollit zyrtar të ushqimit, në përputhje me parimet e Rregullores (BE) 2017/625. Rezultatet e analizave dhe inspektimeve do të shërbejnë për identifikimin dhe klasifikimin e rreziqeve sipas stabilimenteve, produkteve, origjinës dhe historikut të mospërputhjeve, duke mundësuar orientimin e kontrolleve dhe kapaciteteve laboratorike drejt hallkave të zinxhirit ushqimor, produkteve dhe aktiviteteve me nivel më të lartë rreziku.Përmes kësaj qasjeje, AUV synon kalimin nga kontrollet kryesisht reaktive në një sistem të planifikuar, sistematik, proporcional dhe të bazuar në evidencë, duke përcaktuar shpeshtësinë e inspektimeve dhe marrjes së mostrave sipas nivelit të rrezikut. Monitorimi i integruar do të mundësojë gjithashtu identifikimin e burimit të kontaminimit përgjatë zinxhirit ushqimor, nga ushqimi për kafshë dhe prodhimi primar deri te produkti përfundimtar. Në rastet e konstatimit të mospërputhjeve, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore, përfshirë ndalimin e tregtimit, tërheqjen e produkteve jokonforme dhe inicimin e procedurave ndaj operatorëve përgjegjës.
Programi kontribuon në përafrimin e sistemit të sigurisë ushqimore të Kosovës me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, veçanërisht me kërkesat e Kapitullit 12 për sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare. Zbatimi i tij do të forcojë kapacitetet institucionale për kontrollin zyrtar, gjurmueshmërinë, monitorimin e rreziqeve dhe zbatimin e kërkesave ligjore përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, duke krijuar njëkohësisht bazë për përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë vendore dhe përgatitjen graduale për qasje në tregun e Bashkimit Evropian. Qëllimi përfundimtar i programit është garantimi i një zinxhiri të sigurt dhe të kontrolluar të qumështit, nga ushqimi për kafshë deri te produkti në tryezën e konsumatorit, mbrojtja e shëndetit publik, transparenca në deklarimin e përbërjes së produkteve dhe sigurimi i konkurrencës së drejtë në treg.










