Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Fadil Ademi, ka filluar nga sot mbajtjen e takimeve të rregullta me qytetarë, me qëllim të dëgjimit të drejtpërdrejtë të kërkesave, shqetësimeve dhe problemeve të tyre.
Ademi ka bërë të ditur se takimet e para janë zhvilluar sot, ndërsa çështjet e ngritura nga qytetarët do të përcillen në institucionet përgjegjëse, me synimin që për to të kërkohen përgjigje dhe zgjidhje konkrete.
Ai ka theksuar se takimet do të mbahen çdo të premte, nga ora 10:00 deri në 12:00, në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, deri në rregullimin e objektit të Kuvendit Komunal.
Përmes këtij angazhimi, Ademi synon të krijojë një mundësi të vazhdueshme komunikimi me qytetarët dhe të adresojë shqetësimet e tyre përmes mekanizmave institucionalë.
Ai ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë këto takime për të paraqitur kërkesat dhe problemet me të cilat përballen./Radio Star/










