Kryetarja e Komunës së Preshevës ka pritur në takim drejtuesit dhe përfaqësuesit e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, të cilët i ka falënderuar për kujdesin dhe trajtimin shëndetësor të qytetarëve nga Lugina e Preshevës.
Në takim ishin të pranishëm drejtori i Spitalit të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, si dhe Dr. Nezir Demolli, Dr. Veprim Presheva dhe kryeinfermierja Sada Ismaili.
Sipas njoftimit të kryetares së Preshevës, vetëm gjatë periudhës janar–tetor të këtij viti, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit janë kryer 2,050 kontrolle mjekësore dhe 180 hospitalizime të pacientëve nga Lugina e Preshevës.
Ajo ka shprehur mirënjohje për stafin shëndetësor të spitalit, duke vlerësuar përkushtimin dhe gatishmërinë e tyre për t’u ofruar shërbime shëndetësore qytetarëve të Luginës.
“Gjilani po dëshmon se solidariteti nuk njeh kufij!”, ka shkruar kryetarja e Preshevës në njoftimin e saj./Radio Star/










