Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ndaluar tre persona të dyshuar për 48 orë, nën dyshimin për trafikim të narkotikëve, pasi në kuadër të planit taktik të koduar “Kufiri 2” janë sekuestruar rreth 136 kilogramë marihuanë në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër daljes Doganaj-Kaçanik.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, aksioni është realizuar pas një pune intensive hetimore dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
Të dyshuarit janë ndaluar me vendim të Prokurorit të Shtetit, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, një person tjetër i dyshuar për përfshirje në këtë rast gjendet në arrati. Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë rast, ndaj të cilit janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.
Sipas informacioneve fillestare të siguruara gjatë hetimeve, Prokuroria njofton se të dyshuarit janë shtetas të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Ata dyshohet se kishin për qëllim transportimin, shitjen dhe shpërndarjen e marihuanës nga Shqipëria, përmes territorit të Kosovës dhe më pas në Maqedoninë e Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë veprimet hetimore dhe procedurale për ndriçimin e plotë të rastit dhe identifikimin e të gjithë personave të dyshuar.
Gjithashtu, brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë pranë gjykatës kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.










