Vendime të ndryshme kanë marrë dy komisione parlamentare lidhur me importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet.
Derisa Komisioni për Zhvillim Ekonomik i përbërë me shumicë nga pozita votoi pro ndryshimeve të ligjit për automjetet, komisionit për Buixhet dhe Financa i udhëhequr nga opozita ka votuar kundër këtij projektligji.
Ky komision i ka rekomanduar deputetëve të mos i votojnë këto ndryshime.
Anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani tha se paragrafi 1 nuk është trajtuar mirë dhe është i dëmshëm për vendin.
“Logjika që ta bëjmë Kosovën depo të hekurishteve, nuk është e mirë”, theksoi Osmani.
Deputeti Dardan Molliqaj, duke kundërshtuar ndryshimin e projektligjit për veturat, theksoi se ajo që është me rëndësi, është ambienti. Molliqaj shtoi se Zyra e BE-së dhe Ambasada e Gjermanisë e kanë kundërshtuar idenë e importit veturave të vjetra, dhe sipas tij, kanë të drejtë. Iniciuesi i këtij projektligji, deputeti Mërgim Lushtaku, tha se projektligji në fjalë nuk është kundër ligjeve të BE-së, por me këtë projektligj respektohen standardet e BE-së.
Kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku, theksoi se nëse është qëllimi që t’u ndihmohet qytetarëve, le të rekomandohet ulja e kostos së importit të veturave, ndërsa të mos përkrahet importi i veturave më të vjetra se dhjetë vjet.
Megjithatë për ndryshimet e këtij projektligji do të vendoset në njërën prej seancave të Kuvendit.