Leotrim Kryeziu ka filluar shkëlqimin edhe në futbollin zviceran me fanellën e Luganos.
Sulmuesi i talentuar nga Kosova iu bashkua skuadrës së njohur zvicerane nga kampioni në fuqi i Kosovës, Drita.
Kryeziu shkëlqeu edhe me fanellën bardh e kaltër duke shënuar tetë gola dhe kjo bëri që ai t’i bashkohej Luganos.
Në një intervistë për Telegrafin, djaloshi nga Kamenica flet për aventurën e tij në futbollin zviceran si dhe të ardhmen.
“Jam ambientuar shumë mirë dhe shpejt pasi më kanë pritur shumë mirë shokët e skuadrës por edhe më kanë ndihmuar shumë”.
Leotrimi ka shpërthyer me gola me Luganon II, ku në 10 ndeshjet e para ka tundur 10 herë rrjetat kundërshtare.
“Gjithçka është duke shkuar shumë mirë deri më tani, ku në 10 ndeshjet e para kam shënuar 10 gola”, tha Leotrimi duke thënë se nëse vazhdon me këtë ritëm mund të debutoj me ekipin e parë.
“Nëse vazhdoj me këtë ritëm besoj që do të debutoj së shpejti me skuadrën e parë”.
19-vjeçari po luan me ekipin e dytë të Luganos, por gjithmonë stërvitet me ekipin e parë.
“Edhe pse luaj me ekipin e dytë, stërvitjet gjithmonë jam duke i kryer me ekipin e parë dhe kjo po më ndihmon shumë”, tha Leo për Telegrafin.
Synimet e Leos janë që një ditë të arrij majat e futbollit evropian dhe botëror, dhe me punë ai beson se do ta arrijë një gjë të tillë.
“Si çdo futbollist edhe unë ëndërroj të arrijë suksese të mëdha në karrierën time”.
“Synoj të arrijë majat e futbollit evropian dhe besoj shumë se me punë të madhe dhe përkushtim një gjë të tillë do ta arrijë”, deklaroi Kryeziu për Telegrafin.
Mezi pret ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës U21
Kryeziu ka qenë kapiten i Kosovës U19 duke shënuar edhe gola të rëndësishëm.
Në gjashtë ndeshje me Përfaqësuesen U19, Leotrimi ka shënuar pesë gola.
“Me Përfaqësuesen U19 kam bërë lojëra mjaftë të mira ku kam pasur edhe nderin të jem kapiten”.
“Në gjashtë ndeshje ndërkombëtare kam shënuar pesë gola dhe kjo më bënë tejet të lumtur”, tha Kryeziu që mezi pret ftesën nga Përfaqësuesja U21.
“Jam në formë tejet të mirë dhe mezi pres të marrë ftesë nga Përfaqësuesja U21”, u shpreh lojtari.
Drita pret të fitojë nga shitja e xhevahirit të tyre
Leotrimi me Dritën ka arritur të bëhet kampion i Kosovës por edhe të luaj në garat evropiane.
Lugano fillimisht kishte ofruar një shumë për ta transferuar nga Drita, por që klubi gjilanas e kishte refuzuar shumën e ofruar.
Në fund kampionët e Kosovës arritën marrëveshje me klubin zviceran që ta lejojnë Kryeziun t’i bashkohet pa para.
Por në marrëveshje është cekur që Drita do të fitojë 30% të shumës nga transferimi i ardhshëm i Kryeziut.
Falë ecurisë së mirë të Kryeziut, janë të lumtur të gjithë te Drita.
Në rast së shitjes së tij në të ardhmen, atëherë Kryeziu përpos që ndihmoi klubin bardh e kaltër të bëhet kampion i Kosovës do ta shpërblejë edhe me miliona.