Qytetarët ankohen për derivate jo cilësore por edhe për çmime të larta. Deri me tani vetëm pesë për qind e derivateve që hyjnë në tregun kosovar i nënshtrohen kontrollit. Por kjo pritet të përmirësohet me nxjerrjen e udhëzimit të ri administrativ, i cili parasheh që kontrolli i cilësisë të kalojë në kompetencë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Cilësia e dobët dhe çmimet e larta të naftës në tregun kosovar janë shqetësuese për qytetarët. Disa prej tyre i thanë Radio Kosovës se cilësia e derivateve është shumë e dobët dhe çmimet janë më të larta se sa në vendet e rajonit.
“Sa i përket çmimit të naftës është shumë i lartë, është i lartë se nuk ka cilësi të naftës. Pak është i shtrenjtë, diku po dallohet që nafta është me mirë e diku është me e dobët. Vozis veturën personale dhe të punës dhe e vërej dallimin në vozitje. Të larta janë çmimet dhe kualiteti nuk është kurrqysh, se kur e mbushi veturën në Shkup me një rezervar vozis rreth 1000 kilometra, ndërsa këtu as 700 kilometra nuk i bën.”
Sa i përket çmimit të naftës, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, i tha Radio Kosovës se çmimi aktual i derivateve në vendin tonë është më i liri në rajon.
“Besoj që qytetarët e Kosovës janë duke u furnizuar me çmimin me të lirë në rajon. Qytetarët në vendin tonë i kanë çmimet me të lira se në Shqipëri, Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi”.
Ndërkaq, për cilësinë e dobët të naftës, e cila aktualisht kontrollohet nga Dogana e Kosovës, vetëm pesë për qind i nënshtrohet kontrollit, Berjani theksoi se me nxjerrjen e udhëzimit të ri administrativ kanë kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë të marrë në kompetencë kontrollin e derivateve që hyjnë në Kosovë.
“Ndërsa sa i përket cilësisë së derivateve të naftës shoqata e naftëtarëve ka kërkuar dhe mbetet mbrapa kërkesës që të kontrollohet cilësia e derivateve gjatë importit në kufi. Për momentin dogana është duke e bërë ketë, dhe ka arritur ta bëj ketë vetëm pesë për qind . Ndërsa tash me udhëzimin e ri administrativ kjo pritet të kaloj në kontroll të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë.”
E zëvendësministri në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Bekim Jupa, në nja takim me përfaqësues të Shoqatës së Naftarëve, theksoi se mostrat e naftës të cilat janë duke u marrë kanë treguar se cilësia e naftës është në nivelin e standardeve që parashihen.
“Janë duke u marrë mostrat për cilësinë e naftës, dhe këtu kemi një lajm të mirë se nga të gjitha mostrat që janë marrë tregon se cilësia e naftës është në nivel të standardeve dhe udhëzimeve administrative që janë të aplikueshme në Republikën e Kosovës.”
Se cilësia e dobët e naftës jo vetëm që është shqetësim për qytetarët por kjo po ndikon edhe në ndotjen e ajrit. Problem me të cilën vendi ynë është duke u përballur për çdo vjeshtë dhe dimër. Kështu theksoi deputeti i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Ambientin nuk është duke e dëmtuar vetëm thëngjilli, por ambientin është duke e ndotur nafta e pakontrolluar, për të cilën kanë pasur mundësi për të bërë shumë deri më tani dhe nuk është bërë asgjë rreth kësaj.”
Që nga pas lufta Kosova vazhdon të përballet me mungesë të cilësisë se derivateve të naftës dhe lëvizje të shpeshta të çmimeve.