Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e Republikës së Kosovës duhet të bëjë lehtësira për bizneset e Kosovës Lindore, duhet të krijojë një rregullore të veçantë për produktet që vijnë nga Bujanoci, Presheva e Medvegja.
Dihet botërisht se produktet e prodhuara në këto tri komuna eksportohen vetëm në Kosovë pasi që janë të bllokuara për t’u eksportuar në qytetet serbe”, ka thënë për 2LONLINE, Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”.
Kadriu ka thënë tutje se si rrjedhojë e vendimit të MTI-së, që iu vendos produkteve të Serbisë, taksa prej 10%, kjo vlerësohet me plot të drejtë dhe Vatra përkrahë vendimin e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës karshi prodhimeve serbe, por kërkon që kjo taksë të hiqet për produktet që prodhohen në Luginën e Preshevës, përkatësisht Kosovën Lindore.
Ai tha se bizneset atje duhet të stimulohen, sidomos me investimet në ato tri komuna, e ku do të punësoheshin shumë shqiptarë, e me që rast do të mbanin të gjallë qenien shqiptare në Luginë.
“Në të kundërtën, ky mos interesim serioz i institucioneve të Kosovës për këtë popullatë, po benë që edhe këto pak biznese që mbajnë me qindra të punësuar shqiptarë të mbyllën apo të vendosen në drejtim të qyteteve të Kosovës e me këtë rast do t’i ndihmojnë Serbisë direkt në spastrimin etnik të asaj pjese”, ka thënë Kadriu i “Vatrës”.