Komuna e Gjilanit ka njoftuar se është duke u punuar gjatë gjithë kohës për hapjen e rrugëve pas reshjeve të borës.
Kjo komunë po ashtu ka njoftuar qytetarët që për çdo problem që eventualisht mund të hasin të kontaktojnë numrat kujdestarë: +383 44 234 007 dhe +383 45 540 803 dhe ekipet komunale do t’u përgjigjen në kohën më të shpejtë të mundshme.
Sipas një komunikate, drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, Naser Korça, ka potencuar angazhimin maksimal të stafit të Komunës dhe operatorit ekonomik që gjithçka të tejkalohet në normalitet të plotë.
Ai ka thënë se së bashku edhe me institucionet tjera në Komunën e Gjilanit janë në gjendje gatishmërie për të ofruar mbështetje e plotë në rast të paraqitjes së nevojës për intervenim.
Kompania e cila ka për detyrë mirëmbajtjen e rrugëve dhe hapjen e tyre, është duke vepruar në gjithë hapësirën e Gjilanit. Komuna apelon te të gjithë qytetarët e Gjilanit të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në komunikacion dhe përdorimin e pajisjeve dimërore në mënyrë që të evitojnë aksidentet ose problemet tjera që mund të ndodhin”, tha mes tjerash drejtori Korça.
Drejtori gjithashtu ka kërkuar durim nga qytetarët, duke theksuar se operatori ekonomik vazhdimisht është në terren dhe puna nuk do të ndalet derisa të gjitha rrugët të hapen, duke përfshirë edhe zonat e thella malore.