25 mijë shërbyesit civil në Kosovë, paralajmërojnë se nga e hëna do të hyjnë në grevë. Ata vlerësojnë se nuk janë trajtuar si duhet në ligjin për pagata dhe kërkojnë nivelizim të tyre.
Pas sistemit arsimor dhe atij shëndetësor, grevës pritet t’i bashkëngjiten edhe 25 mijë shërbyesit civil dhe të administratës publike të Kosovës.
Mursel Zymberi nga Sindikata e Shërbyesve Civil tha se nëse deri të hënën nuk u dërgohet ndonjë vendim i shkruar për plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria, do të hyjnë në grevë.
“Të gjitha komunat janë kategorike që do të hyjmë në grevë. Nëse nuk plotësohen kërkesat tona për nivelim të pagave, atëherë ne detyrohemi të futemi në grevë. Ne si sindikata nuk mund t’i ndalim”, deklaroi Mursel Zymberi.
Grevës do t’i bashkohen edhe punonjësit e administratës publike, bëri të ditur kryetari i Sindikatës, Ndue Kalaj. Përpos nivelizimit të pagave, ata kërkojnë t’u njihet edhe stazhi i punës.
“Sinqerisht aq shumë jemi injorua, që po e shohim që e vetmja mënyrë për të arritur kërkesat, ashtu si po bëjnë edhe kategoritë tjera janë grevat. Edhe pse ne nuk i preferojmë këto masa”, deklaroi Ndue Kalaj.
Për takimin e mbajtur me Koordinatorin Nacional për Reforma Shtetërore Besnik Tahirin, kishin ardhur edhe kryetarët e Sindikatës së komunave tjera. Mehmet Bajrami nga komuna e Mitrovicës dhe Ramadan Kutllovci nga komuna e Vushtrrisë, thonë se e përkrahin vendimin për të hyrë në grevë.
“Sigurisht se ne do të futemi në grevë nëse nuk plotësohen këto kërkesa”, deklaroi Mehmet Bajrami.
“Nëse shërbyesit civil nuk e gëzojnë të drejtën si punëtorët tjerë, të jeni të bindur se nga e hëna jemi në grevë”, tha Ramadan Kutllovci.
Greva do të përkrahet edhe nga shërbyesit civil nëpër Ministri. Kryetari i Sindikatës së Puntorëve në Ministrinë e Mjedisit Ali Sefaj, tha se nuk do të lëshojnë pe deri në realizimin e kërkesave të tyre.
‘Qëllimi ynë nuk është të bëjmë presion, por t’u bëjmë me dije se shërbyesit civil meritojnë trajtim të dinjitetshëm, jetë dinjitoze, pagë më të mirë, sepse në jemi shteti dhe pa ne shteti nuk funksionon”, deklaroi Ali Sefaj.
Derisa janë shtuar pakënaqësitë sociale në Kosovë, qeveria paralajmëron se projektligji i ri për pagat do të votohet në Kuvend gjatë javës së ardhshme./RTV Dukagjini