Ai ka renditur një varg arsyesh që çuan drejt humbjes së PDK-së, në tërësi e veçanërisht në qytetin e Gjilanit
Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit dhe Kryetari i degës së PDK-së në këtë qytet, Qemajl Mustafa, ka lëshuar një mori akuzash drejt qendrës së PDK-së, në Prishtinë.
Në dokumentet që ka siguruar gazeta ‘’Bota sot’’, shihet se Mustafa, drejtpërdrejt akuzon pjesëtarë të UÇK-së që ishin pjesë e PDK-së për një kohë të gjatë. Pasurimi i shpejtë i tyre, në të shumtën e rasteve pasuri që nuk shpjegohet.
Po ashtu, Mustafa, akuzon edhe qendrën kryesore për neglizhencën apo siç shprehet ai eksperimentet që i bëri me degën e vet në Gjilan.
‘’Eksperimentet që qendra i bëri me degën e PDK-së në Gjilan për një kohë të gjatë. Perceptimi (bindja) që Lutfi Haziri është mik i ngushtë i liderëve tanë në qendër dhe se po përkrahet prej tyre. Vonesa e qendrës në stabilizimin e rrjedhave në degë. Perceptimi në popullin e Kosovës për shkallën e lartë të papunësisë, të krimit, korrupsionit e nepotizmit e që kanë çue tek humbja e shpresës për familjet e veçanërisht tek të rinjtë për humbjen e perspektivës në vend. Perceptimi i lidhjes së ngushtë të këtij fenomeni të shëmtuar pikërisht me PDK-në e cila më së gjati e ka qeverisë Kosovën. Luksi e shkëlqimi i arritur shpejtë dhe pa shpjegim për i shumë funksionarëve, ish-komandantëve e ish-luftëtarëve të PDK-së në njërën anë e varfëria e skajshme e mijëra familjeve të aktivistëve dhe veteranëve të luftës në anën tjetër. Trajtimi tepër i plogësht i komunës dhe degës nga e kaluara ka bërë humbjen e besimit tek elektorati i saj. Përkrahja për 20 vite me radhë i atyre që kishin vetëm një meritë ose edhe asnjë – pjesëmarrja në luftën e UÇK-së, vitet e burgut ose relacionet familjare e shoqërore me dëshmorët dhe familjet e tyre’’, ka shkruar Mustafa.
Gazeta ka provuar që të marr një përgjigje nga Mustafa rreth këtij dokumenti mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.