Në mesin e gjërave me të cilat krenohemi si popull është edhe rezistenca në kohë shumë të vështira ndaj agresioneve te ndryshme. Fillet e rezistencës i gjejmë te shumë atdhetarë që vijnë nga rajoni i Anamoravës si Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani për të vazhduar këtë traditë me të tjerë siç janë Abdullah Tahiri, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka që nuk u ndalen asnjë moment, rezistuan dhe dhanë gjithçka, për të i dhënë shpirt dhe motiv të tjerve për të rezistuar dhe mos u ndalur deri të arriijnë atë se çfarë dëshironin, Lirinë e popullit tonë. Rezistenca e tyre u bë kauzë për të vazhduar edhe me komandantin Agim Ramadani dhe shokët e tij, rezistencë kjo që përfshiu tërë popullin shqiptar, deri në arritjen e ëndrrës tonë më të madhe, Çlirimin.
E kur fituam mëvetësinë, dhe shpresuam që gjithë territoret e Kosovës do të jenë njësoj, do të punohet sipas nevojave qytetare, këtu kemi gabuar pasi që Gjilani nga qytet i Rezistencës u kthye në Gjilanin e neglizhencës.
Gjilani u neglizhua në kohën kur duhej të ndërtohej autostrada, edhe pse do të shërbente për Kosoven Lindore term që shpesh përmendet dhe nuk zë vend në Prishtinë, prapë nuk u bë, dikur vonë filloi për të përfunduar dikur!
Gjilani që në kohët e vështira dha shumë intelektual dhe me të drejtë njihet si qytet i dijes po edhe i kulturës u neglizhua edhe me rastin e kampusit Universitar, tani Gjilani është qyteti i vetëm që nuk ka kampus Universitar përkundër që pa një të tillë Universiteti ende nuk ka marrë kuptim!
Në kohën kur futbolli ynë luhej nëpër lloq e livadhe, mundësia për t’u krenaur me diçka ishte e vogël, atëherë Qyteti i Gjilanit ishte prej qyteteve të pakta me të cilen krenoheshim, për të vazhduar me qenë zgjidhje edhe në kohën kur udhëheqësit e FIFA-së dhe UEFA-së vinin për të parë kulturën sportive në futbollin Kosovar. Sot pasi që kemi fituar të drejten për të luajtur në arenen ndërkombtare, Gjilani u neglizhua dhe vazhdon të neglizhohet për stadiumin Kombëtar edhe pse më shumë se çdo qytet e meriton.
Ju që e neglizhuat qytetin e Gjilanit po e neglizhoni edhe interesin e shtetit tonë, por qyteti i Gjilanit do të jap më të mirën nga vetja kur të jetë nevoja për Kosovën, për të vazhduar idealin e atyre që rezistuan dhe nuk kursyen asgjë që ne dhe pasardhësit tanë të frymojmë shqip.