Qytetarët e Gjilanit të mobilizuar për të ndihmuar Shqipërinë Tifozët e KFC Dritës (Intelektualët) së bashku me qytetarë të shumtë të komunës së Gjilanit sonte janë organizuar për të ndihmuar qytetarët e Shqipërisë pas goditjeve nga tërmeti i sotëm. Në pakot e grumbulluara për popullin shqiptar ka gjëra ushqimore, veshmbathje dhe batanije. Në iniciativë janë përfshirë pothuajse të gjithë qytetarët e Gjilanit, duke ofruar edhe transport që ndihmat të barten në Shqipëri, shkruan rtv21.tv
“Sot kena marrë një iniciativë pas asaj që na i ka ndodhë popullit tonë, intelektualët kanë marrë iniciativë që të ndihmojnë vëllezërit tanë atje. Dhe deri tani siç edhe po e shihni është një mobilizim shumë i madh qytetarëve, që në mënyra të ndryshme janë duke e ndihmuar popullin tonë shqiptar. Në çdo moment jonë tu ardhë ushqime, batanije, veshje, të holla. Janë lajmëruar një numër i madh i njerëzve për me transportu falas krejt këtë material që u mledhë këtu, edhe tash po shpresojmë që brenda një ore me u nisë për Shqipëri, një grup i tifozve tonë, edhe menoj që ka qenë një iniciativë shumë shumë e madhe dhe shpresojmë që sado pak ta bashkëndjejmë atë çka ka ndodhë dhe sado pak tu dalim në ndihmë vëllezërve tanë në Shqipëri”, ka thënë njëri nga organizatorët.
Shqipëria në mëngjesin e sotëm është tronditur nga disa tërmete të forta të njëpasnjëshme, me pasoja në njerëz dhe dëme të mëdha materiale. Numri i i viktimave nga tërmeti ka shkuar në 21, ndërsa raportohet për qindra të lënduar. Në mesin e viktimave që kanë humbur jetën nga tërmeti në Shqipëri janë edhe dy vëllezër nga Gjilani. Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e rajonit, të cilat kanë ngushëlluar dhe mbështetur popullin shqiptar. Për tërmetin e sotëm, i cili u ka marrë jetën e dhjetëra njerëzve është shkruar edhe nga mediat prestigjioze botërore, CNN, BBC, The Guardian, etj/21Media