Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, ka vizituar sot familjen Abazi në Komunën e Gjilanit për t’iu shprehur ngushëllime pas humbjes tragjike së dy djemve në Durrës si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, shkruan Gazeta Express.
Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë.
“Sot në mëngjes, Ambasadori i RSh-së në Kosovë, z. Qemal Minxhozi zhvilloi një një vizitë ngushëlluese në familjen Abazi në Komunën e Gjilanit, e cila humbi 2 djemtë, gjate tërmetit të datës 26 nëntor”, thuhet në njoftim.
Minxhozi gjithashtu ka njoftuar familjen Abazi që Qeveria e Shqipërisë ka ndarë një shumë prëj 16 mijë eurove.
Në këtë vizitë ka qenë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
“Pas shprehjes së ngushëllimeve të atit dhe familjarëve të tjerë, Ambasadori i bëri me dije vendimin e sotëm të qeverisë shqiptare për ta ndihmuar familjen Abazi me shumën prej 16.000 Euro. Familjarët e vlerësuan këtë akt, ku i ati i viktimave u shpreh se “Falënderoj qeverinë shqiptare që nuk i ndau fëmijët e mi dhe nga viktimat e tjera”. Në këtë vizitë, ambasadori u shoqërua nga kryetari i Komunës Lutfi Haziri si dhe nga anëtarë të Këshillit Komunal të Gjilanit”, thuhet në njoftim.