Mbi 1.7 milionë euro është vlera e importeve që kanë hyrë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja-Hercegovina nga 1 prilli, kur Qeveria, tashmë në detyrë, e Kosovës, ka hequr tarifën 100 qind ndaj produkteve të ktyre dy vendeve.
Në mallrat serbe autoritetet e Kosovës e kanë zëvendësuar këtë masë me reciprocitet, derisa ndaj Bosnjës nuk është marrë masë shtesë.
Adritatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se 1.6 milionë euro është vlera e mallrave që kanë hyrë nga Serbia në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër janë importe të Bosnjës në vlerë të rreth 113 mijë eurove.
Sipas tij, shumica e importeve janë produkte ushqimore, të industrisë kimike apo të industrisë së ndërtimit.
“Të gjitha dërgesat deri tani u janë referuar Kosovës në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe emërimit ndërkombëtar të Kosovës në aspektin tregtar”, ka thënë mes tjerash Stavileci.
Po ashtu është bërë e ditur se gjatë kësaj periudhe Kosova ka eksportuar mallra në këto dy vende në vlerë të 240 mijë eurove.
Taksa 100 për qind ishte vënë nga qeveria e kaluar në Kosovë në nëntor të vitit 2018.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar në vazhdimësi pezullimin e kësaj mase, ndërkohë që zyrtarët amerikanë së fundmi kanë thënë se nuk përkrahin as masën e reciprocitetit ndaj mallrave serbe./ REL