Data 9 Prill shënon një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pikërisht sot bëhen 21 vjet nga thyerja e kufirit Kosovë-Shqipëri.
Kjo i dha UÇK-së një fitore të madhe morale.
Operacioni “Shigjeta”, i dha mobilizimit ushtarak edhe një mundësi të madhe për furnizim me armatim dhe mbështetje tjera logjistike për shumë zona brenda luftës, po ashtu edhe sigurimin e ndihmave mjekësore nga Shqipëria.
Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare.
Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.
Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të Ushtrisë Çlirimtare jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj.
Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që të bashkoheshin në front.
Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë