Numri i të prekurve me virusin Korona në Kosovë, çdo ditë po shkon duke u rritur. Por, kjo për qytetarët e Gjilanit nuk duket shumë shqetësuese.
Gjatë ditës së martë në këtë qytet janë parë shumë qytetarë duke qarkulluar, sikur të ishte një ditë e zakonshme, raporton emisioni #gjesi në T7.
Kështu, zëdhënësi i kësaj komune Arbër Ismajli shprehet i pakënaqur me një pjesë të qytetarëve të cilët nuk po i respektojnë rregullat dhe thirrjet e vazhdueshme për të qëndruar në shtëpi.
E duke e parë këtë gjendje, Ismajli thotë se kanë angazhuar një grup inspektorësh shtesë, të cilët kanë dhënë dënime të shumta.
Telashe me banorët e këtij qyteti kanë pasur edhe Policia e Kosovës. Vetëm në 24 orët e fundit, nga ky rajone janë arrestuar 5 persona për mos respektim të rregullave.
E që nga mërkura, si pasojë e rritjes së numrit të të prekurve me Covid 19 në vendin tonë, Qeveria e Kosovës ka marrë disa masa të reja, me të cilat qytetarët e Gjilanit duket të mos jenë fort të kënaqur, ani pse ende nuk kishte filluar zbatimi i tyre.
Zyrtarë nga kjo komunë dhe policia, për #gjesi kanë thënë se ditëve në vazhdim masat do të ashpërsohen dhe nuk do të ketë më tolerime.