SOT NË SOFRËN E FAMILJES SË HEROIT TË KOMBIT REXHEP MALAJ
Sot isha i ftuar për drekë në Gjilan, në familjen e Heroit të Kombit Rexhep Malaj, nga vëllai i tij, Hasan Malaj.
Isha i nderuar dhe i privilegjuar të jem në sofrën e kësaj familjeje të madhe atdhetare e patriotike, e cila me sakrificën, qëndresën dhe kontributin e saj ka zënë vend të përhershëm në historinë më të lavdishme të luftës per liri të kombit shqiptar.
Me emocione të veçanta dhe respekt të thellë, ia dorëzova Xha Hasanit portretin e Udhëheqësit tim, Heroit të Kombit Rexhep Malaj, njeriut që me veprën, vizionin dhe guximin e tij frymëzoi breza të tërë luftëtarësh e veprimtarësh të lirisë.
Në përshëndetjen time para të pranishmëve, ndër të tjera theksova se veprimtaria revolucionare, aktiviteti atdhetar dhe organizimi politik ilegal i Heroit të Kombit Rexhep Malaj janë ne themelet mbi të cilat u ngrit më vonë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Rexhep Malaj ishte udhëheqësi ynë.
Ishte komandanti ynë.
Me rënien e tyre heroike, pësuam një humbje të madhe ne lëvizjen kombëtare shqiptare.
Rënia e tyre ishte një goditje e rëndë për organizimin ushtarak e çlirimtar të Kosovës në atë kohë, por njëkohësisht u shndërrua në frymëzim të pashtershëm për vazhdimin e rrugës së lirisë deri në çlirimin e vendit bga zgjedha serbe
Në fund, e falënderova përzemërsisht vëllanë e Heroit të Kombit Rexhep Malaj, Xha Hasanin, për mikpritjen e madhe, bujarinë dhe ngrohtësinë njerëzore që na e kishte rezervuar.
Ishte një ditë emocionesh, kujtimesh dhe nderimi për një familje që i dha kombit shqiptar një nga figurat më të ndritura të historisë sonë më të re.
Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit Rexhep Malaj!

