Punëtorët e bibliotekës së qytetit të Gjilanit kanë kundërshtuar vendosjen e Drejtorisë së Kulturës në këtë objekt.
Ata thonë se për stafin e bibliotekës është i papranueshëm ky plan, pasi që nuk ka hapësirë të mjaftueshme, transmeton portali arbresh.info.
Tutje në reagimin e punëtorëve thuhet se hyrja e dalja e punëtorëve të kësaj drejtorie, puna e tyre me palë do të shkaktonte paralizimin e punës së bibliotekës.
Ky është reagimi i plotë pa ndërhyrje:
Kur u ndërtua objekti i ri i bibliotekës së qytetit, u gëzuam të gjithë pa përjashtim. U gëzuam ne punëtorët, ngase në objektin e vjetër nuk kishim as vend të mjaftueshëm për ta kryer punën tonë, por më tepër u gëzuan studentët, nxënësit e lexuesit të cilët tani do të kishin më shumë hapsira për të mësuar e lexuar.
Megjithatë, që nga inagurimi i këtij objketi, të gjitha kategiritë e lexuesve kanë pasur ankesa të vazhdueshme për prishjen e rendit shtëpijak dhe qetësisë në bibliotekë nga organizimet e shumta prej institucioneve të tjera komunale.
Ne shprehim pakënaqësinë e thellë në lidhje me planin që udhëheqja e Gjilaint ka filluar ta zbatojë- vendosjen e drejtorisë së kulturës brenda bibliotekës. Duke ditur natyrën e punës tonë, për ne stafin e bibliotekës është i papranueshëm një plan i tillë, ngase nuk ka hapsirë të mjaftueshme për vendosjen e një drejtorie, si dhe gjithashtu për faktin se biblioteka është një institucion që kërkon qetësi absolute për zhvillimin e punës së saj, e hyrja e dalja e punëtorëve të kësaj drejtorie, puna e tyre me palë do të shkaktonte paralizimin e punës së bibliotekës.
Ne kemi nevojë edhe për më tepër hapsira të shfrytëzueshme brenda bibliotekës, sepse është shtuar numri i lexuesve dhe si të tillë, atyre u nevojitet më shumë hapsirë për lexim e mësim.
Ngushtimi i hapsirave të bibliotekës dhe ndërrimi i destinacionit të saj do të shkaktojë mosfunksionalizimin e një institucioni që ka mbi 4000 lexues dhe që ofron mbi 60.000 shërbime brenda vitit. Andaj, kërkojmë nga organet kompetente që sa më parë të anulojnë këtë plan, sepse do ti sillte dëme të mëdha arsimit dhe kulturës në komunën tonë.
Me nderime, stafi i Bibliotekës “Fan Stilian Noli”, Gjilan.