Kosova vazhdon të regjistrojë shifra të larta të infektimeve nga koronavirusi. Për tri ditë me radhë numri i të infektuarve ka tejkaluar numrin 200, me rekordin e rasteve që u regjistruan të mërkurën, gjithsej 214 raste, shkruan Reporteri.
Të enjten numri i të infektuarve ishte 207, me me dy raste më pak të premten, gjithsej 205.
Tre persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 97.
Aktualisht numri total i rasteve të regjistruara është 4512, gjersa janë shëruar 2156 persona.
Me këtë rritje alarmante të numrit të rasteve, tashmë po shqyrtohet edhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mbrëmë ka thënë se është i gatshëm të shkojë në hapa ekstrem në mënyrë që të ruhen jetët e qytetarëve.
Hoti ka njoftuar se të dielën do të takohet me Këshillin e Sigurisë Kombëtare me të cilët do të diskutojnë dhe do të vlerësojnë se a është e nevojshme që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në vend.
“Unë sonte kam pasur takim me komitetin për menaxhimin e COVID-19 dhe kemi diskutuar shumë hapur, mund të jetë vendim shumë jopopullor por unë jam i gatshëm që të shkoj në ekstrem. Të dielën e kam thirrur takimin tjetër të Komitetit për ta parë vlerësimin e situatës shtesë dhe pas asaj e kam ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar nëse duhet të shqyrtojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për të ruajtur jetën e qytetarëve”, tha ai.
Ndërkaq, infektologu dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK’së, Valbon Krasniqi, ka thënë se shifrat e fundit janë tmerruese për Kosovën.
“Nëse vazhdojnë këto shifra, atëherë në vend do të rëndohet situata edhe më shumë. Gjendja është skajshmërisht e rënduar. Kapacitetet e klinikave të QKUK-së janë stërmbushur. Ne kemi raportuar që tashmë edhe spitalet regjionale kanë filluar të trajtojnë rastet më të lehta, në mënyrë që të provojmë të shkarkojmë pak klinikat e QKUK-së”, ka deklaruar Krasniqi./Reporteri.net