Nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, në mbrëmjen e të dielës, në Gjilan, është mbajtur koncerti “Ti nuk je vetëm”, si ndërgjegjësim për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Me masa anti-COVID-19, në sallën e teatrit të qytetit, kanë marrë pjesë personalitete të rëndësishme të jetës politike, të fushës së mjekësisë, kulturës e qytetarë të rëndomtë.
Të pranishmit kanë parë performancën fantastike të sopranos së Teatrit të Operës së Tiranës, Eva Golemi, të shoqëruar nga Genita Hoxha – piano dhe Mario Guralumi – violincelo.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Deniza Limani, pasi falënderoi kreun e Gjilanit, Lutfi Haziri, për mbështetjen e ofruar në kalendarin e aktiviteteve për nder të muajit tetori rozë, ka thënë ky është kulmim i aktiviteteve në kuadër të shënimit të muajit rozë, duke shpresuar se sado pak kanë ndikuar në ndërgjegjësim për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Fushata “Ti nuk je vetëm”, përmbyllet më 30 tetor, me një ligjëratë këshilluese, e cila jepet online me fillim në ora 17:00.