Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve A. Sh. dhe Q. P.
Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit në bashkëkryerje kanë dhunuar të miturën 15 vjeçare, ndonëse e kanë ditur se e njëjta është e mitur.
Me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘dhunimi’’ vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pasi që hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale lëndore ndaj të pandehurve, Gjykata ka ardhur në përfundim se të njëjtit po të gjenden në liri, mund të ndikojnë në njëri tjetrin, por edhe në të dëmtuarën e mitur, duke vështirësuar ndriçimin e plotë të gjendjes faktike.
Andaj, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që është marr për bazë edhe pesha e veprës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.