Teposhtëza e rrëpishme e Gjilanit
Të lumtë kryetar Haziri, me dien, me angazhimin dhe vizionin tënd, e qove komunën “FULL N’T’KUQEN”. Me krejtë!
Kryetari ynë, për këto 7 vite në krye të komunës, bashkë me “ushtrinë e tij”, me vizionin e tyre të largët e të qartë “për shtetësinë e demokracinë”, pa kravata, me duar të pastra, bënë aq punë të mëdha e të “hajrit” sa e futën komunën “FULL N’T’KUQEN”!.
Ajo sot, fatkeqësisht, ka hy plotësisht në ZONËN E NDALUAR, është bërë për keqardhje për disa nga arsyet që do ti them në vijim:
1.
Me borgjet e thella që i ka (mbi 10 mil. Euro borgje të krijuara e me ato kontigjente që presin në radhë, mbi 21 mil. Euro) e që, udhëheqja komunale nuk e ka idenë qysh ka me i la;
2.
Me shkallë frikësuese të infektimit me Covid;
3.
Me plogështinë dhe mungesën e projektit të qartë komunal në preventivën shëndetësore ndaj kësaj mortaje;
4.
Me performancë katastrofike te qeverisja ekonomike (USAID, shërbimi i komunës për bizneset lokale) ku komuna e jonë doli te vendi 31 nga 38 komunat e Kosovës;
5.
Me administratë aspak miqësore për bizneset (e 35-ta në listë, nga gjithsej 38 komuna);
6.
Me mungesë fyese të transparencës para kuvendit e para publikut;
7.
Me degradim të edukimit duke vendosur kryesisht militantë të koalicionit në qeverisje, duke pranue në punë militantë partiakë por jo dije, duke i tkurrë shkollat profesionale (teknike dhe të agrobiznesit) nga të cilat pritet përherë aftësim dhe punësim i shpejtë;
8.
Me ndërhyrje në autonominë dhe në funksionimin e bibliotekës rajonale;
9.
Me mungesë totale të vizionit se si ka me u furnizue qyteti e fshatrat me ujë në afat të shkurtë, të mesëm e të gjatë;
10.
Me sorollatje shumëvjeçare por ende pa asgjë konkrete rreth treajtimit të ujërave të zeza;
11.
Me zvarritje shumëvjeqare të projekteve;
12.
Me planifikim e projektim amatoresk (që më së miri shihet te ndërhyrja diletante ngulfatëse me zgjërim të rrugës nëpër zemër të qytetit);
13.
Me anarkinë e plotë te planifikimi hapsinor dhe me shëmtim për shumë decenie të zonës urbane të qytetit me ndërtime të larta kaotike “ndërtesë mbi ndërtesë”;
14.
Me realizim “të lodhtë” të të gjitha projekteve;
15.
Me dështim në shumicë te realizimi i premtimeve;
16.
Me zhvatje të parasë publike përmes punësimeve plotësisht të panevojshme përgjatë pandemisë;
17.
Me zhvatje të parasë publike përmes dhënies së punëve milionëshe dostave e haverave edhe kur ata nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret e tenderëve (nga raporti i auditorit vetëm pergjatë vitit 2019 janë dhënë mbi 4.5 milionë euro punë me kriteret e “Bajram Begut”);
18.
Me zhvatjen e parasë publike përmes vendimeve gjyqësore (me ndërprerjen arbitrare të kontratave – vetëm një e tillë komunës i ka kushtue 127000 euro);
19.
Me ndarjen e subvencioneve sipas tekeve të kryetarit dhe të çarkut të tij (ç’)drejtues. Dikuj hiç, dikuj fare pak e dikuj edhe boll edhe nga dy e tri herë brenda viti;
20.
Me zhvatjen e parasë publike duke dhënë prona në shfrytëzim pa ankand publik e pa konkurrencë, poashtu për dosta e jarana;
21.
Me sfilata falso në kohë pandemie, me falsifikime të mirënjohjeve për kryetarin e për komunën, me pisllëqe e me afera nga më të ndryshmet brenda komunës;
22.
Me mungesë totale të respektit ndaj qytetarit dhe bizneseve të komunës të cilët me votë ua besuan komunën…
Kësaj, që i ka ndodhë Gjilanit përgjatë këtyre 7 viteve mund ti thuhet gjithqysh ndryshe por, veç drejtim i komunës s’mund ti thuhet kurrë. Është pikërisht e kundërta – shtrembërim, devijim e deformim i saj deri në ZONËN E KUQE E TË NDALUAR.
Komuna e jonë, nëse nuk e miraton një plan realist, fortë të qartë dhe afatshkurtë të daljes nga kjo krizë e thellë, ka me i ra “murit me kokë” dhe fundi i saj tashmë po i ngjet mjaftë shumë telekomit të Kosovës, si modeli më i dhimbshëm i udhëheqjes katastrofike në Republikën tonë të dashur e të vetme që e kemi ne kosovarët.
Populli ynë e ka një menquri të rrallë për kontekstin e reshtave që i shkrova më lartë: “Në kohë dimri, mos i lejoni të krisurit me heqë borën e me çelë rrugë sepse e çelin keq e shtrembtë”!