Vjosa Osmani, ushtruesja e detyrës së presidentes, ka thënë se bashkëpunimi i iniciativës së saj me Lëvizjen Vetëvendosje, është më shumë se një listë për zgjedhje, sipas saj ky është një bashkim kauze për më të mirën e qytetarëve të vendit.
“Kosova ishte e udhëhequr nga një mendësi e gabuar për ta ndryshuar këtë ne do të garojmë me listën tonë. Ne kemi qëllime të përbashkëta atë të çkapjes së shtetit, padrejtësisë, pabarazisë dhe rimëkëmbjes ekonomike”.
“Kosova ka nevojë për një kryeministër që nuk do t’i mbyllë sytë përballë padrejtësive.Kosova ka nevojë për një kryeministër që nuk dorëzohet në luftën e pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Kosova ka nevojë për një kryeministër që e ruan integritetin dhe interesin e qytetarëve para çdo interesi”.
“Ne do të punojmë bashkë në frymën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Jemi një muaj larg zgjedhjeve dhe kjo që arritëm sot reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Osmani, njofton Klan Kosova.
Osmani ka thënë se do të kandidojë për presidente në kaudër të bashkëpunimit me LVV-në.
“Do të jem unë personi që do ta kërkoj këtë ri legjitimim, sepse presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit. Një presidente që ka legjitimitet më së miri e përfaqëson këtë. Do të garojmë pikërisht si thoni ju”, tha ajo.