Partitë politike kanë publikuar mbrëmë listat e tyre me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, përjashtuar këtu Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt që ende nuk ka bërë një gjë të tillë.
Që me publikimin e listave partitë kanë nisur garën me njëra-tjetrën se kush ka kandidatët më të mirë për deputetë.
Por ajo që bie në sy edhe në këto zgjedhje në lista dominojnë burrat.
Aasnjëra nga partitë nuk ka mbushur kuotën prej 50% që të garojë me kandidate femra, edhe pse jo rrallë here “shtyhen” mes vete se kush mbron më shumë të drejtat e grave.
Megjithatë partia pretendente për t’i fituar zgjedhjet sipas të gjitha sondazheve të publikuara deri tani, që është Lëvizja Vetëvendosje ka ndarë më së shumti vende për femrat në listën e saj, shkruan Reporteri.net.
Në listën e partisë së Albin Kurtit garojnë 40 femra me profile të ndryshme.
Pas VV-së më shumë femra ka kandiduar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjithshej me 34 kandidate.
Ndërsa PDK-ja dhe LDK-ja në listat e tyre kanë kandiduar nga 33 femra për deputete.
Ende nuk dihet sa femra kandidate për deputete do të jenë në partinë Nisma për Kosovën, pasi partia e Fatmir Limajt nuk ka publikuar emrat.
Kujtojmë se VV në zgjedhjet e 14 shkurtit kandidat për kryeministër ka Albin Kurtin, LDK-ja garon me Avdullah Hotin (kryeministër aktual në detyrë), PDK-ja me Enver Hoxhajn, kurse AAK nuk ka kandidat për kryeministër pasi Ramush Haraidnaj ka kohë që ka shpallur kandidaturën për president.
Për këtë pozitë kandidaturën e ka shpallur edhe Vjosa Osmani, nën petkun e Lëvizjes Vetëvendosje. /Reporteri.net/.