Ramadan Zymeri qytetar i Podujevës e punonjës i Komunës atje, sot në 9 e 30 të mëngjesit e ka denoncuar në Policinë e Kosovës, Shpejtim Bulliqin, me pretendimin se ky i fundit e ka sulmuar fizikisht gjatë kohës sa po provonte të merrte shërbime në QKMF-në e Podujevës.
Zymeri në një prononcim për Express ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, duke thënë se Bulliqi e kishte sulmuar verbalisht e fizikisht pasi që e kishte parë në objektin e QKMF-së.
Ai ka treguar se aty kishte shkuar për të kërkuar ndihmë meqë nënë e kishte në gjendje të rëndë shëndetësore me këmbë të amputuara.
Megjithatë thotë se një gjë e tillë nuk i kishte bërë përshtypje Bulliqit, i cili vetëm e kishte pyetur se pse nuk ishte në vendin e punës por në Ambulancë.
Kam shku me kërku shërbim për nënën, sepse ia kanë amputuar këmbët para dhjetë dite. Ai kishte qenë aty për vizitë, dhe më ka parë mua aty, e më tha se çka po kërkon këtu. I tregova për nënën time, se e ka punën kështu kështu, erdha me e marr një shërbim. Më pyeti pse s’je në punë, nuk i lente përshtypje nëna ime 90 vjeç, pa kurrfarë ndjesie për ndaj rastit të nënës sime. Edhe pse e njeh nënën time”, ka thënë Zymeri për Express.
Zymeri ka treguar se kishte shkuar në atë kohë në Ambulancë, meqë pas orës nëntë ekipa e QKMF-së do të shkonte në pauzë, dhe nuk do të mund të siguronte ndihmë për nënën e tij që thotë se ka dhimbje dhe është në gjendje të rëndë, meqë pas këmbëve të amuputuara edhe duart i janë infektuar.
Por Zymeri thotë se Bulliqit i kishte interesuar vetëm pse nuk ishte në atë kohë në punë, ndërkohë tregon se i kishte dhënë shpjegim se edhe sipas rekomandimit të IKSHP-së, personat mbi moshën 60 vjeçare duhet të punojnë me orar të përgjysmuar.
“Në prezencë të drejtorit dhe zv.Drejtorit ma ka ngjit për krahu. Më ka shti në korridor mbrapa. Mi ka qit thonjtë nfyt, e më ka thënë se ta nxjerri gabzherrin. Ka bo yrysh me më ra me tjetrën dorë, e jam mbrojt. Më ka ra në fytyrë. Unë nuk i kam ra, jam mbrojt. Kur e boni të vetën, eci drejt kah ekipa”, ka rrëfyer Zymeri për Express.
Zymeri thotë se më pas drejtori i QKMF-së i ka thënë të shlyejë gjakun në faqe.
“Drejtori i QKMF-së më tha fshije faqen se ki gjak. Me një faculetë e kam fshi e kam majt qashtu. E kam denoncu rastin në Polici, pastaj na kan çu te mjeku”, ka thënë tutje ai.
Ai thotë se në raportin e mjekut i është konstatuar se ka plagë sipërfaqësore./GazetaExpress/