I dërguari Special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer në një intervistë për mediumin serb “N1” ka komentuar deklaratën e liderit të LVV-së, Albin Kurti i cili muajin e kaluar tha se dialogu nuk është prioriteti numër një i qeverisë në ardhje.
Palmer në prononcimin e tij tha se edhe ShBA-të janë pro që në Kosovë të luftohet korrupsioni dhe të rregullohet situata.
“Kam dëgjuar përparësitë që Z. Kurti vuri në dukje – transparenca, qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit, rregullimi i situatës në Kosovë – këto janë përparësitë tona, ne duam që e gjithë kjo të ndodhë në Kosovë,” tha ai. “Kosova mund të marrë pjesë në këtë dialog në një mënyrë konstruktive duke u marrë me reformat e brendshme. Unë nuk shoh ndonjë kontradiktë midis këtyre përparësive” tha Palmer.
Tutje, I dërguari special shtoi se marrëveshja duhet të arrihet sa më shpejt.
“Koha nuk është në anën tonë. Sa më gjatë të presim, aq më e vështirë do të jetë dhe të gjitha sfidat do të jenë më të komplikuara”, tha ai.