Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Labinotë Demi-Murtezi ka publikuar disa fotografi të një personi vullnetar, me aftësi të kufizuar, në Gjilan.
Sipas saj, ky person kontribuon për pastërtinë e qytetit, dhe po ashtu jep shembullin më të mirë qytetar për të gjithë. “Gjilanasit e njohin, por për ata që nuk e njohin ju tregoj se ky është Avdil Ibishi, falë punës dhe përkushtimit të të cilit parku i qytetit në Gjilan gjithmonë është i pastër.
Ky zotëri nuk e refuzon punën, përkundër kufizimit shëndetësor me të cilin është sprovuar, as nuk viktimizohet e as nuk ofendon. Ka gjetur alternativë dhe kontribon për pastërtinë e qytetit, dhe poashtu jep shembullin më të mirë qytetar për të gjithë ne.
Qytetarët përmes politikës e organizatave të ndryshme të shoqërisë civile duhet të angazhohen për meritokraci e të drejta të barabarta për të gjithë pa dallim, pa qenë arrogantë e pa pritur një datë fiktive për të bërë një shfaqje”, ka shkruar ajo në Facebook