Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla, e ka mirëpritur vendimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për vaksinimin e 11 mijë punonjësve shëndetësor nga Kosova, kundër Covid19.
Syla në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se “ky me të vërtet është një akt vëllazëror”.
Kreu i Sindikatës tha se me kontigjentn prej 11 mijë vaksinave do të arrijnë të vaksinohen të gjithë punëtorët shëndetësor kosovar.
“Ky është një akt me të vërtet vëllazëror. Neve na mbetet tash që Ministria e Shëndetësisë së Kosovës me atë të Shqipërisë të koordinojnë veprimet e tyre. Sot gjatë ditës do të komunikojmë me ministrin Vitia dhe ai besoj do të shpreh gatishmërinë e tij.
“Me rëndësi është që të fillohet pasi sa më shumë që vaksinohen personeli shëndetësor aq më shumë kanë mundësi që të vaksinohet popullata.
Me kontigjentin prej 11 mijë vaksinave mund të themi se e mbulon sektorin e personelit shëndetësor në Kosovë. Po ashtu Kosova kursen sa i përket vaksinave për popullatën”, tha ai.
Syla shtoi se ka interesim të madh të mjekëve që të vaksinohen në Shqipëri kundër Covid19.
Sipas tij, gjendja shëndetësore e mjekëve dhe infermierëve që u vaksinuan ditë më parë në Kukës është mjaft e mirë.
“Ka një interesim mjaft të madh të mjekëve që të vaksinohet. Fillimisht ka pasur një lloj skepticizmi për t’u vaksinuar por prej atij spekticizmi tanimë ka kërkesa shumë të mëdha saqë ne nuk arrijmë t’iu sigurojmë të gjithëve pasi kemi njëherë vetëm 500 doza të para. Ne nuk kemi mundësi aq sa ka kërkesa por me kërto 11 mijë doza që i ka ofruar Shqipëria do mundësohet.
Nesër do të përfundoj procesi i fazës së parë të vaksinimit prej 500 dozash, po them që nuk kemi mujt t’i përballojmë kërkesat për vaksinim.
Si në çdo shtet që është njëfarë skepticizmi mirëpo i kanë parë që kanë kaluar shumë mirë dhe vetvetiu njerëzit janë bindur që vaksina është e vetmja armë kundër virusit.
Gjendja shëndetësore e tyre e të vaksinuarve është shumë e mirë nuk kemi asnjë ankesë, në orët e para normalisht pak, por deri më tash nuk ka asnjë ankesë të nivelit të përkeqësimit”, tha ai për IndeksOnline.
Syla shpreson që procedurat e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë të përfundojnë shpejt dhe javën e ardhshme të filloj cikli i dytë i vaksinimit i personelit shëndetësor në Kukës.
Ndryshe, lajmin dje e bëri të ditur kryeministri Rama pas arritjes në Shqipëri së 192 mijë vaksinave “Sinovac” nga Kina./IndeksOnline/