Ajo është shumë e suksesshme në matematikë, kurse ka edhe shpirt artistik, ngase shumë bukur luan në violinë. Sukseset e saj nuk kanë të ndalur, pos pesave në shkollë, ku tani është maturante, Rinesë Morina, nxënëse maturante përfaqëson Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” nga Gjilani në shumë gara të ndryshme.
Ajo ka varguar sukseset. Në Olimpiadën Matematike të Gjilanit më 2021, ajo zuri vendin e parë, sikurse edhe në Olimpiadën Matematike të Kosovës. Në TST (Testi Seleksionues për Përzgjedhjen e Ekipeve të Kosovës për IMO dhe EGMO) ajo u radhit e dyta në konkurrencën e vajzave, me çka është përzgjedhë në ekipin e vajzave të Kosovës për pjesëmarrje në EGMO 2021.
Duke qenë se rrjedh nga një familje matematikanësh, nënë e babë i ka profesorë të matematikës, Rinesë Morina ka marrë shumë njohuri nga prindërit e saj, siç është profesori Murat Morina, që ka rastisur në shkollë të jetë mësimdhënësi i saj dhe është meritor për sukseset e Rinesës, ndërkohë edhe mësimdhënësi tjetër, Festim Shkodra, që ishte organizator e koordinator i garave, ka thënë se sukseset e Rinesës, por edhe të nxënësve tjerë e bëjnë krenarë Gjilanin.
Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, në shenjë mirënjohje për suksesin e Rinesë Morinës, i ka ndarë asaj mirënjohje, duke i dëshiruar suksese edhe në të ardhmen.
Vetë Rinesë thekson se nuk do të kursejë mund dhe djersë vetëm e vetëm që të përgatitet sa më mirë për garat në vijim.