Avokati Arianit Koci ka njoftuar se do ta paraqesë në Policinë e Kosovës rastin e një videoje të manipuluar që po qarkullon në Facebook, për të cilën thotë se synon të dëmtojë imazhin e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Shkrimi i plotë:
Në cilësinë e avokatit të Lirim Mehmetaj, njoftoj se nesër do ta paraqesim në Policinë e Kosovës rastin e videos së manipuluar që po shpërndahet në Facebook.
Videoja burimore është publikuar para rreth një viti dhe kishte të bënte me adresën e paraqitur si seli qendrore e partisë Guxo.
Tani, ajo video është përpunuar me efekte dhe është publikuar në një formë që krijon aludimin se Lirim Mehmetaj po përdor substanca narkotike.
Ky aludim është i pavërtetë. Një situatë e tillë nuk ka ndodhur.
Manipulimi i pamjeve për ta diskredituar një gazetar është sulm i rëndë ndaj integritetit të tij personal dhe profesional. Këshilli i Evropës i përfshin fushatat e diskreditimit ndër rreziqet dhe presionet me të cilat përballen gazetarët.
Në këtë rast, kemi të bëjmë me përpjekje për vrasjen publike të karakterit të një gazetari.
Ky montazh ka kaluar çdo kufi. Dëmi shkon përtej Lirim Mehmetajt. Nëse një fabrikim i tillë kalon pa përgjegjësi, nesër, me të njëjtën metodë, mund të goditet kushdo. Prandaj, kjo përbën rrezik për krejt shoqërinë.
Personat e përfshirë janë identifikuar. Emrat e tyre dhe provat që i kemi siguruar, nesër do t’ia dorëzojmë Policisë së Kosovës.
Poashtu, do të kërkojmë që roli dhe veprimet e secilit të hetohen deri në fund.










