Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka ndarë për Kosovën 95 mijë doza të vaksinës “Pfizer” në luftën kundër pandemisë COVID-19.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen me anë të një njoftimi në Twitter thotë se, “qëndrojmë përkrah partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe Albin Kurtit”.
“95 mijë doza të vaksinave të financuara nga BE-ja do të arrijnë në Kosovë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit. Ne jemi këtu në këtë së bashku”, ka thënë ajo, përcjell Telegrafi
Po ashtu, Austria ka njoftuar se planifikon që deri në muajin gusht t’i shpërndajë 651 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë Pfizer për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si pjesë e një skeme të Bashkimit Evropian.
Në muajin janar, Komisioni Evropian ka prezantuar planin për shpërndarjen e vaksinave. Austria tha se do të shërbente si koordinatori i këtij mekanizmi për Ballkanin Perëndimor dhe se kjo shpërndarje e parë e dozave mund të ndiqet nga të tjerët.
Ato do të shpërndahen nga fillimi i muajit maj, sipas nevojës së vendeve për këto doza.
Bosnja e Hercegovina do të marrë pjesën më të madhe të vaksinave me 214 mijë doza, e ndjekur nga Shqipëria me 145 mijë doza, Maqedonia e Veriut me 119 mijë doza dhe Serbia është e fundit me 36 mijë doza. /Telegrafi/