Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është takuar me Veton Surroin dhe këshilltarin e ish-presidentit Hashim Thaçi, Blerim Shala në cilësinë e ekspertëve për një memorandum bashkëpunimi nga Ambasada Norvegjeze.
Kështu kanë bërë të ditur për Sinjalin nga Qeveria e Kosovës lidhur me raportimet se Surroi dhe Shala janë ftuar nga Kurti për të qenë pjesë e dialogut me Serbinë.
“Nuk bëhet fjalë për ekip negociator. Bëhet fjalë për një ekip ekspertësh të financuar nga Ambasada norvegjeze në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit që e kemi nënshkruar këtë javë, e në të cilin ekip mes tjerëve do angazhohen edhe z. Surroi dhe Shala. Zëvendëskryeministri Bislimi është takuar me ekipin ditëve të fundit”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së për Sinjalin.