Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit R. Sh.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nga muaji nëntor 2020 e deri me datë 20.04.2021, është takuar disa herë me të dëmtuarën e mitur, e cila është person me aftësi të kufizuara mendore, me ç’rast i pandehuri dyshohet se ka ushtruar sulm seksual ndaj saj, rrethana këto të mjaftueshme për të cilat gjykata konsideron se tregojnë rrezikun potencial se poqëse i njëjti lihet në liri ai mund ta përsërisë veprën penale apo të kryej edhe ndonjë vepër tjetër penale me pasoja edhe më të rënda.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “sulm seksual” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative në këtë fazë të procedurës do të ishin të pamjaftueshme.