Skuadrat shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi gjatë këtij sezoni kanë pasur organizim shembullor, duke thyer edhe rekordin e përfaqësimit në garat e UEFA-së, me plot 11 klube.
Një skuadër tjetër shembullore dhe me organizim të mirë, është KF Tërnoci, që edhe pse garon në nivelin e pestë të Ligave në Serbi, është gati për të arritur një rekord historik.
KF Tërnoci që nga viti 2010 garon në Ligën Regjionale të Pqinjës në Serbi, dhe përkundër padrejtësive të mëdha që i janë bërë, këtë sezon nuk mund t’i ndalojë askush në promovimin e tyre në Ligën e Katërt.
Drejtori i klubit, Rushit Ibrahimi, ka treguar për Gazetën Olle vështirësitë që i kanë pasur që nga inkuadrimi në këtë ligë.
“Vështirësitë kryesore në të cilat ballafaqohemi janë fondet, pasi buxhetin vjetor të cilin e grumbullojmë është shumë i vogël në krahasim me klubet serbe në këtë rajon. Duke mos harruar edhe padrejtësitë në fushë dhe jashtë fushës, që na shkaktohen nga ekipet serbe”, thekson Ibrahimi.
Kujtojmë se klubi i Tërnocit është shpallur dy herë kampion në këtë ligë, mirëpo në momente të fundit iu kanë inponuar “Play-off”-ët, të cilat pastaj me ndihmën e gjyqtarëve u është bërë padrejtësi klubit shqiptar, duke u eleminuar më tej.
Mirëpo, në këtë sezon nuk do të ketë fare “Play-off” dhe për herë të parë në histori, një ekip shqiptar do të promovohet një ligë më lartë.
Skuadra e trajnerit Faruk Nazifi, është duke kaluar nëpër një formë fenomenale, duke mbledhur plot 51 pikë pas xhiros së 19-të, ku ka 17 fitore dhe vetëm një humbje.
Madje, në ndeshjen e fundit, skuadra shqiptare deklasoi kundërshtarët e Mladostit, duke shënuar fitore të thellë prej 8-1.
“Klubi është pronë shoqërore dhe mbahet kryesisht nga mbështetja e komunës së Bujanocit, nga Tërnoci, mërgimtarët dhe kryesit nga bizneset lokale”, theksoi drejtori Rushit Ibrahimi, i cili erdhi në detyrë te klubi nga kryesia e re e zgjedhur në shtator, 2020.
Përkundër problemeve financiare dhe padrejtësive të mëdha që i janë bërë klubit, dashuria për futbollin nuk është ndalur asnëherë në Kosovën Lindore, shkruan Gazeta Olle.
Ky klub që nga themelimi ka nxjerr lojtarë të dalluar, siç janë: Faton Fetahu, Faruk Nazifi, Ridvan Murati, Orhan Fetahu, Muharrem Elmazi, Eroll Ahmeti e Ylber Fetahu.
Ndërsa, nga gjeneratat më të reja dallohen futbollistët si: Mensur Limani, Samir Ramizi, Arbnor Fejzullahu, Gjelbrim Taipi, Shqiprim Taipi, Faton Xhemaili, Jeton Jakupi, Alban Tusuni, Almedin Murati, Leotrim Pajaziti e Hesip Hajdari.
Berat Gjimshiti është mbështetës i madh i KF Tërnocit dhe inspirim për të rinjtë e shkollës së futbollit, të cilët aspirojnë të bëhet futbollistë të shquar.
Gjithashtu, edhe trajneri i mirënjohur që ka bërë karrierë edhe në Kosovë, Sedat Pajaziti, ka qenë futbollist i Tërnocit, duke i marr hapat e para si trajner, pikërisht në shkollën e futbollit të këtij klubi.
Me ngitjen e Tërnocit në Ligën e Katërt, që do të jetë sukses historik për shqiptarët e Kosovës Lindore, rritet edhe konkurrenca, pasi aty do të përballen edhe me ekipet serbe nga Kosova. /Gazeta Olle/