Gjilan, 16 janar 2017 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri së bashku me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, kanë vizituar sot kompaninë për prodhimin e lëngjeve “Fluidi” dhe biznesin e ri familjar “Magjja” në fshatin Llashticë, të cilët prodhojnë ushqime tradicionale.
“Sot është një nderë i veçantë që ministrja Bajrami është rikthyer në Gjilan, pas takimit me bizneset e mesme dhe të vogla të regjionit tonë. E falënderoj shumë për mbështetjen e vazhdueshme. E pamë punën e madhe që bëhet në njërën nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të lëngjeve “Fluidi”, jo vetëm në Kosovë, por edhe regjion, e që është shembull i mirë. I dëgjuam edhe shqetësimet dhe kërkesat e pronarit dhe besojmë që qeveria do të reagojë sa më shpejt”, ka thënë kryetari Haziri, pas vizitës në kompaninë “Fludi”.
“Jam e nderuar që gjendem këtu te “Fluidi”, një investim gjigant dhe një kontribut i madh për komunën e Gjilanit dhe 200 familjet gjilanase. MTI dhe qeveria së bashku me Komunën e Gjilanit jemi shumë të interesiar që të jemi në funksion të përmirësimit të ambientit të biznesit. Biseduam rreth shumë shqetësimeve që kanë menaxhmeti dhe po mundohemi që një nga një t’i adresojmë. MTI po e përgatit pakon e re fiskale dhe ne biseduam edhe për potencialin eksportues dhe për mbështetjen që pronari pret nga ne. Ne do të jemi në mbështetje të bizneseve gjithmonë”, është shprehur ministrja Bajrami.
Ndërkaq, drejtori i kompanisë “Fluidi”, Fejzulla Mustafa, ka falënderuar kryetarin Haziri dhe minstren Bajrami për vizitën dhe mbështetjen e ofruar në lehtësimin e punës.
“Ministren Bajrami dhe kryetarin Haziri i njoftova me vështirësitë, me të cilat po ballafaqohemi si prodhues, por edhe i falënderova për të gjitha lehtësimet që janë marrë nga qeveria e që nuk i kemi pasur më herët. Ne shpresojmë që të na mundësohet që të operojmë sikur bizneset e rajonit”, ka deklaruar pronari i “Fluidit”, Fejzulla Mustafa.
Ndërsa, gjatë vizitës në biznesin “Magjja”, kryetari Haziri tha se është shembull i veçantë ky biznesiI ri, duke shtuar se do të jetë e ardhmja e ekonomisë gjilanase.
“Së bashku me ministren Bajrami sot vizituam një shembull të veçantë në Llashticë të Gjilanit, një biznes familjar që ka investuar në këtë punëtori me prodhime tradicionale, ku ka angazhuar tetë gra në punë. Ne si Komunë i kemi dhënë mbështetje të plotë në ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturës tjetër të domosdoshme, në mënyrë që të funksionojnë suksesshëm. Ky biznes familjar është e ardhmja e ekonomisë në vendin tonë”, ka nënvizuar kryetari Lutfi Haziri.
Minstrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, është impresionuar me këtë biznes të ri, duke thënë se kjo e bënë Kosovën atraktive, jo vetëm për konsumatorët, por edhe për turistët.
“Falënderoj kryetarin Haziri për mbështetjen ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme. Ne sot po e vizitojmë punëtorinë “Magjja” dhe këtë tetë zonja, të cilat me prodhimet tradicionale, e bëjnë Kosovën atraktive, jo vetëm për konsumatorët, por edhe për turistët. Bizneset e vogla kanë vështirësi për depërtimin në treg dhe do të bëjmë përpjekje që përmes donacioneve dhe projekteve me donatorët që kemi në kuadër të MTI-së, t’ju ndihmojmë në ngritje të kapaciteteve. Iu uroj suksese”, tha Bajrami.
Menaxherja e këtij biznesi, Nebahate Haziri, e ka falënderuar kryetarin Haziri dhe ministren Bajrami për vizitën dhe mbështetjen e ofruar në eperimin sa më të suksesshëm të kësaj veprimtarie.