Boksierët shqiptarë kanë shënuar dy fitore të premten mbrëma në Kampionatin Botëror që po mbahet në Beograd. Në Botëror nuk janë lejuar boksierët e Kosovës, por në Beograd janë boksierët e Shqipërisë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe një boksier shqiptar i Norvegjisë.
Alban Beqiri i Shqipërisë ka shënuar fitore 5:0 ndaj Saimonas Banys të Lituanisë. Meçi i Beqirit ishte i vlefshëm për kategorinë deri 71 kilogramë. Ishte meç i 1/16 të finales. Për Beqirin ishte fitorja e dytë. Ai i është përmbajtur stilit të veçantë, me goditje të forta dhe mbrojtje të suksesshme. Ndaj lituanit i ka fituar tri raundet dhe ngadhënjeu me vendim unanim.
Para Beqirit në ring doli Don Emini i Norvegjisë. Me një stil krejt ndryshe nga Beqiri, Emini e mposhti kroatin Filip Kolar, në meçin tjetër të 1/16 të finales në kategorinë deri 71 kilogramë. Emini ishte shumë i lëvizshëm në ring dhe pas çdo goditje të shpejtë ka bërë shmangie shembullore. Niveli teknik edhe i solli fitoren me vendim unanim.
Jasin Lama që përfaqëson Maqedoninë e Veriut, ka humbur nga Abdumalik Khalokov i Uzbekistanit, në kategorinë deri 60 kilogramë. Uzbeku ishte bindës në të tri raundet.
Nesër garon Arsim Etemi i Maqedonisë së Veriut, në kategorinë deri 80 kilogramë.
Humbje të premten ka pësuar edhe Indrit Laçi i Shqipërisë. Ai pësoi 5:0 nga anglezi Lewis Williams në kategorinë e rëndë, deri 92 kilogramë. Në kategorinë super të rëndë, Nelson Hysa i Shqipërisë humbi 4:1 nga Paul Nigel i Trinidad e Tobagos, të enjten.