Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës, konkretisht Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit (FEFS).
Memorandumi u nënshkrua nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe dekani i FEFS-it, Musa Selimi, i cili njëherit është edhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut.
Memorandumi parasheh bashkëpunimin mes dy institucioneve në bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të KOK-ut, si: organizimi i konferencave shkencore, konferenca Mjekësia dhe Sporti, por edhe në edukimin e trajnerëve, administratorëve sportivë, gjyqtarëve etj.
Presidenti Krasniqi dhe dekani Selimi, kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin mes KOK-ut me UP-së, bashkëpunim ky që do të fuqizohet edhe më shumë me organizimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Të pranishëm në takim nga KOK-u ishin edhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, si dhe udhëheqësit e Akademisë Olimpike, Fitim Arifi e Diellza Kelmendi, ndërsa nga FEFS ishin sekretari Gani Ibrahimi, pro-dekani Florian Miftari dhe profesori Bujar Turjaka, i cili njëherit është edhe anëtar i BE të KOK-ut.
#MemorandumBashkepunimi #KOK #FEFS