Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, së bashku me drejtorët e departamenteve të estradës dhe të sallave të dasmave, Afrim Muqiçi dhe Driton Hoti, si dhe drejtori ekzekutiv Visar Demolli, ditën e djeshme patën takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, si dhe u.d e ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, ku kërkuan që masat për sektorin e gastronomisë të ndryshojnë.
Kërkesat konkrete të përfaqësuesve të OHTK-së ishin si më poshtë:
Zgjatja e orarit të punës për të gjitha kategoritë deri në ora 01:00 pasmesnate;
Lejimi i punës për sallat e dasmave dhe clubet, sipas manualit të IKSHPK-së;
Të hiqet ora policore;
Të zgjatet afati për uljen e TVSH% nga 18% në 8% të paktën edhe për 5 vitet e ardhshme;
Të fillojnë organizimet e ahengjeve në bazë të manualit;
Të bëhet përkrahja financiare ndaj bizneseve;
Të bëhet subvencionimi i pagave të punëtorëve;
Të mbulohen shpenzimet e qirave për bizneset nga viti 2020-2021 që kanë punuar pjesshëm;
Të bëhet kompensimi i bizneseve që nuk kanë punuar fare gjatë kësaj kohe;
Për të hyrë në lokale t’u kërkohet certifikata e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19, testi RT-PCR negativ për COVID-19 jo më i vjetër se 72 orë ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19 në të kundërtën inspektoriati të merret me atë biznes.
Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, kryetari i Departamentit të Estradës, Afrim Muqiçi ka zbuluar se mbledhja e radhës do të jetë këtë të premte, dhe presin që kërkesat e tyre të përfillen, gjithmonë me masat të cilat i vendosin IKShPK-ja dhe MSh.
“Kemi pas një takim dje ne si Odë e Hotelerisë dhe Turizmit, takim me zëvendësministrin e parë, z. Bislimin dhe u.d e ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, dhe në parim i kemi pasur kërkesat tona dhe janë zotuar që në mbledhjen e radhës, e cila sigurisht do të mbahet këtë të premte, atëherë duhet të përfillen kërkesat tona e të lirohet edhe sektori jonë, me masat që i vendos IKShPK me MSh, e dalë ngadalë që edhe bizniset tjera të fillojnë punën me masa si të gjitha bizneset tjera, duke marrë shembull edhe vendet e rajonit”, tha fillimisht Muqiçi.
“Dasmat duhet të lejohen të parat për arsye se janë të gjithë familjarë që njihen mes vete. Kështu që MSh duhet të mendojë një manual, e që duhet të kontrollohet nga shteti për respketimin e tij. Ne jemi zotuar që do t’i marrim me përgjegjësi të plotë të gjitha obligimet tona dhe do të zbatojmë rregulloren”, shtoi Afrim Muquçi.
Kryetari i Departamentit të Estradës beson se ky takim do të jetë në anën e tyre, dhe se kërkesat e tyre do të aprovohen, pasi nuk ka logjikë më që kjo mos të ndodhë.
“Besoj që takimi i ditës së premte do të jetë në favor tonin. Nuk ka çare, pasi s’ka logjikë më”, përfundoi Muqiqi për Reporteri.net.