Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura nga aksidenti tragjik hekurudhor në Spanjë, ku dy trena të shpejtësisë së lartë janë përplasur.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Kurti i ka shprehur ngushëllimet e tij kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, familjeve të viktimave dhe popullit të Spanjës.
“Thellësisht i pikëlluar nga lajmi për aksidentin hekurudhor në Spanjë, i cili ka marrë dhjetëra jetë njerëzish. Ngushëllimet e mia më të sinqerta i shpreh kryeministrit Pedro Sánchez, familjeve të viktimave dhe popullit të Spanjës në këtë ditë tragjike”, ka shkruar Kurti.
Aksidenti ka shkaktuar ndërprerjen e qarkullimit hekurudhor në linjën që lidh Madridin me rajonin jugor të Andaluzisë, njoftoi operatori hekurudhor Adif.
Sipas autoriteteve rajonale të Castilla-La Mancha, të paktën 64 persona kanë humbur jetën nga përplasja e dy trenave.
Ndërkohë, shkaku i plotë i aksidentit ende nuk është bërë i ditur.










