Mungesa e ndriçimit publik në disa pjesë të Gjilanit, e cila sipas reagimeve ka zgjatur tash e rreth dy javë, ka nxitur reagime nga përfaqësues të opozitës në Kuvendin Komunal. Këshilltarja komunale nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardita Ukshini, ka kritikuar Komunën e Gjilanit, duke kërkuar rikthimin sa më të shpejtë të ndriçimit publik dhe më shumë transparencë për qytetarët lidhur me situatën e krijuar.
Në reagimin e saj publik, Ukshini ka deklaruar:
“Është e papranueshme që në kulmin e sezonit veror qytetarët e Gjilanit të mbeten pa ndriçim publik për ditë të tëra. Qytetarët janë tatimpagues të rregullt dhe kanë të drejtë të marrin shërbimet bazë që u takojnë. Ata nuk duhet të bartin pasojat e problemeve financiare apo institucionale të Komunës.
I bëhet thirrje Komunës së Gjilanit dhe kryetarit të saj që ta trajtojnë me dinjitet qytetarin, duke rikthyer sa më parë ndriçimin publik dhe duke ofruar transparencë për situatën e krijuar. Qytetarët meritojnë shërbime cilësore dhe trajtim të përgjegjshëm nga institucionet që i përfaqësojnë.”
Ukshini vlerëson se sigurimi i shërbimeve bazë, si ndriçimi publik, është obligim i institucioneve lokale dhe kërkon që problemi të zgjidhet sa më parë në interes të qytetarëve të Gjilanit.

