Qendra e qytetit të Gjilanit tash e afro dy javë vazhdon të mbetet pa ndriçim publik, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët dhe bizneset që operojnë në këtë zonë.
Qytetarë të shumtë i janë drejtuar redaksisë së Radio Star, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për mosfunksionimin e ndriçimit publik, ndërsa theksojnë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë sqarim zyrtar lidhur me arsyet e kësaj gjendjeje.
Sipas tyre, është e papranueshme që qendra e një qyteti të mbetet në errësirë për një periudhë kaq të gjatë, duke rritur pasigurinë për këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve gjatë orëve të mbrëmjes.
Radio Star merr vesh nga burime të mirëinformuara se arsyeja e ndërprerjes së ndriçimit publik lidhet me borxhet e akumuluara të Komunës së Gjilanit ndaj KEDS-it. Sipas këtyre burimeve, KEDS ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për këtë pjesë të rrjetit të ndriçimit publik për shkak të mospagesës së detyrimeve financiare.
Ndërkohë, qytetarët kërkojnë rikthimin sa më të shpejtë të ndriçimit publik dhe transparencë nga institucionet përgjegjëse për situatën e krijuar./Radio Star/

