Asamblistja e AAK-së, Ardita Ukshini, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe PDK-në për, siç thotë ajo, qasjen selektive ndaj çështjes së objekteve të uzurpuara.
Ukshini ka kujtuar periudhën kur VV-ja dhe PDK-ja bashkëpunonin politikisht, duke theksuar se në atë kohë nuk kishte diskutime publike për “uzurpimin” e zyrave të LDK-së dhe PDK-së. Sipas saj, kjo temë po rikthehet në skenën politike vetëm atëherë kur shërben si kundërargument për çështje të tjera.
“Sa ishin bashkë VV-PDK, askush nuk fliste për ‘uzurpimin’ e zyrave të LDK-së e PDK-së. Sot, kur duhen kundërargumente për çështje të tjera, na rikthehen përsëri tregimet për zyrat e uzurpuara. Mesa duket, uzurpimi nuk varet nga objekti, por nga koalicioni”, ka shkruar Ukshini.
Me këtë deklaratë, asamblistja e AAK-së lë të kuptohet se debati rreth objekteve po përdoret sipas rrethanave dhe interesave politike, duke vënë në pah atë që ajo e konsideron si standard të dyfishtë në trajtimin e kësaj çështjeje./Radio Star/

