Dy trajnerë futbolli, dy kampionë, dy shkupjanë, dy strategë të dëshmuar, dy personalitete të maturë dhe të qetë, dy trajnerë të dyja skuadrave, të shtunën pasdite do të përballen me skuadrat e tyre rivale në derbin lokal Drita- Gjilani.
Zekiria Ramadani, kryetrajner i Dritës dhe Ardian Nuhiu, kryetrajner i Gjilanit, do të përballen me skuadrat e tyre përkatëse, pasiqë tashmë këta dy kanë qenë në të dyja skuadrat dhe do të jetë tepër interesant, se cili në fund do të triumfojë.
Të dy trajnerët shquhen në aspektin tekniko-taktik, dhe mbi vete bartin suksese sikundër kanë drejtuar edhe ekipe tjera, jashtë Gjilanit.
Statistikat e deritashme flasin më tepër për një bilanc pozitiv të Nuhiut.
Ai sa ishte në krye të Dritës ndaj Gjilanit kishte fituar në 6 ballafaqime, gjashtë herë kishte barazuar dhe 3 herë kishte shijuar erën e disfatës.
Teksa Ramadani sa ishte në stolin e Gjilanit kundër Dritës, kishte dy barazime, dy humbje dhe asnjë fitore.
Ndërkohë Ramadani prej që është emëruar në krye të Dritës ndaj Gjilanit, ka 1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.
Ndeshja e sotme e kësaj përballje lokale për Nuhiun është e para në krye të Gjilanit dhe kundër ish skuadrës së tij, me të cilin ishte stolisur edhe me titullin e kampionit.
Njëherësh Ardiai Nuhiu është trajneri i fundit i Dritës, që ka fituar titullin e kampionit.
Se kush do të ngadhënjejë në këtë ballafaqim të zjarrtë mbetet, të shihet pas 90 minutave që do të luhen në stadiumin me bari sintetik, të shtunën më fillim në ora 15:00.
Shkruan: Fehmi SYLEJMANI